Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Sevdije Berisha, vizitoi qendrat e testimit në Komunën e Obiliqit para fillimit të Testit të Maturës, me qëllim të verifikimit të përgatitjeve dhe mbarëvajtjes së procesit sipas planifikimeve të parapara.
Testi i Maturës u mbajt me sukses në dy qendra të testimit, përkatësisht në SHML “17 Shkurti” dhe SHML “Ismajl Dumoshi”, ku morën pjesë gjithsej 283 maturantë.
Në SHML “17 Shkurti” testit iu nënshtruan 137 maturantë, ndërsa në SHML “Ismajl Dumoshi” morën pjesë 146 maturantë.
Procesi i testimit u zhvillua në një atmosferë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me standardet e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse.
Komuna e Obiliqit falënderon administratorët, komisionet dhe stafin e shkollave për angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë organizimit dhe realizimit të Testit të Maturës.
Të gjithë maturantëve u urojmë suksese dhe rezultate sa më të mira në rrugëtimin e tyre të mëtejmë akademik dhe profesional.