Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, është shënuar 5 Maji- Dita e Dëshmorëve të Kombit, ku pikërisht në këtë ditë është bërë zbulimi i shtatores së Heroit të Kombit, Fahri Fazliu.
Në këtë ceremoni madhështore, prezent ishin personalitete të shquara nga gjitha trevat shqiptare, bashkëveprimtarë të Heroit të Kombit Fahri Fazliu, duke nderuar kështu jetën dhe veprën e tij.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, çmoj lart figurën e Heroit të Kombit, Fahri Fazliu, i cili edhe u bë frymëzim për të dhe për shumë të tjerë që të luftojnë për lirinë që sot e gëzojmë, duke u shprehur se: “Familja Fazliu, është familje me vlera të larta kombëtare, që rriti e edukoj djemë në frymë atdhetare, të cilët në secilen periudhë dhanë kontributin e tyre ndaj agresorit serb, e dy prej tyre edhe flijuan jetën për atdhe; Fahriu e Bahriu ranë për liri dhe me flijimin e tyre dëshmuan se çlirimi i Kosovës ka vlerë më shumë se vetë jeta.”
Kryetari Gashi, theksoj se Fahri Fazliu shtroj veprimtarinë e tij edhe në qytetin e Obiliqit, ndërsa sot u kthye i shkrirë në bronz, ashtu siç jeta dhe vepra e tij e bëjnë të pavdekshëm: “Për Obiliqin, veprimtaria e Fahriut nuk është e panjohur, sepse ai me shumë bashkëveprimtarë tjerë shtrin aktivitetin e tyre patriotik edhe në qytetin tonë dhe pikërisht me 5 Maj- ditën e Dëshmorëve të Kombit, rikthehet prap në mesin tonë, i shkrirë në bronz, duke lartësuar jetën dhe veprën e tij, që do nderohet dhe përcjellet ndër breza.”
Fjalë rasti para të pranishmve, pati edhe nga bashkëveprimtarët e Heroit të Kombit, Fahri Fazliu si dhe nga lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, z.Ali Ahmeti, që të gjithë shpalosen kujtimet ndaj Heroit Fahri Fazliu dhe lartësuan atë ashtu siç jeta dhe vepra e tij mbetet e lartësuar për kombin shqiptar.
Aktivitete kulturore në shënimin e kësaj ngjarje të madhe, në sheshin “Dëshmorët e Kombit”, u dha nga Ansambli i Qytetit dhe me fluturimin e paragllajdistëve nga Shqiponjat e Kastriotit, nën përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Mirë se na u ktheve në bronz, Heroi ynë Fahri Fazliu!
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Kombit, Fahri Fazliu!



