Sot, në SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova” në Obiliq, u mbajt ceremonia e përurimit të investimeve të realizuara në kuadër të projektit për renovimin e shkollës, të mbështetur nga Ambasada e Japonisë në Republikën e Kosovës, përmes programit “Grant Assistance for Grassroots Human Security Projects (GGP)”.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, së bashku me ekzekutivin komunal, përfaqësuesi i Ambasadës së Japonisë, Hiroyasu Tanigaki, drejtoresha e shkollës, Fatmire Mjekiqi, si dhe të ftuar të tjerë.
Gjatë ceremonisë u bë zbulimi i pllakës së donatorit dhe përurimi i sallës së sportit. Kryetari Thaçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Ambasadës së Japonisë, duke vlerësuar kontributin e saj në përmirësimin e kushteve dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për nxënësit.
Ceremonia u shoqërua me pika artistike, muzikë klasike dhe valle kombëtare, ndërsa në përfundim të pranishmit vizituan hapësirat e shkollës.