Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, priti në takim ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Gjatë këtij takimi u diskutua për projektet që janë duke u realizuar dhe ato që planifikohen të realizohen në Komunën e Obiliqit.
Me këtë rast, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi për realizimin e projektit infrastrukturor në rrugën “Sokoli” në fshatin Plemetin, i cili përfshin asfaltimin e pesë segmenteve të rrugës dhe ndërtimin e kanalizimit.
Kryetari Thaçi e falënderoi ministrin Rashiq për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe për mbështetjen përmes këtij memorandumi, i cili do të mundësojë realizimin e një projekti të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët e fshatit Plemetin.
Nga ana e tij, ministri Rashiq e përgëzoi kryetarin Thaçi për punën dhe angazhimin e tij në zhvillimin e Komunës së Obiliqit, duke vlerësuar përkushtimin e tij në përmirësimin e shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve.