Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të Festës së 28 Nëntorit, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Obiliqit në bashkëpunim me drejtorin e Arsimit, organizoi sot një aktivitet edukativ dhe garues, me pjesëmarrjen e nxënësve të klasave të gjashta nga të gjitha shkollat e komunës.
Aktiviteti nisi me shfaqjen e filmit historik kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për të vazhduar më pas me një kuiz, në të cilin nxënësit patën mundësinë të dëshmonin njohuritë e tyre mbi historinë dhe përmbajtjen e filmit.
Në përfundim të garës, shkollat fituese u renditën si në vijim:
Vendi i parë – SHFMU “Fazli Grajçevci”
Vendi i dytë – SHFMU “Ibrahim Rugova”
Vendi i tretë – SHFMU “Migjeni”
Ky aktivitet kishte për qëllim të nxiste interesimin e brezave të rinj për historinë kombëtare, të kultivonte frymën e garës së shëndetshme, si dhe të forconte ndjenjën e krenarisë dhe dashurisë për trashëgiminë, kulturën dhe vlerat tona kombëtare.
Urime shkollave fituese dhe përgëzime të gjithë nxënësve për pjesëmarrjen dhe njohuritë e dëshmuara!


