Kryetari Halil Thaçi priti në takim banorët e fshatit Siboc
Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Halil Thaçi, së bashku me Nënkryetarin, z. Berat Gashi, dhe Shefin e Kabinetit, z. Bashkim Gashi, priti në takim banorët e fshatit Siboc, me të cilët diskutoi shqetësimet dhe kërkesat e tyre lidhur me procesin e shpronësimit nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Banorët shprehën shqetësimin e tyre lidhur me kufizimet që po përballen si pasojë e këtij procesi, veçanërisht pamundësinë për të ndërtuar shtëpi të reja, për t’u pajisur me leje ndërtimore dhe për të zhvilluar jetën familjare e ekonomike në mënyrë të qëndrueshme.
Një nga kërkesat kryesore të banorëve ishte që, në rast të shpronësimit, të përfshihet i gjithë fshati Siboc. Sipas tyre, zhvendosja vetëm e disa lagjeve do të krijonte pabarazi dhe do t’i linte lagjet e tjera në kushte të vështira, pa mundësi të zhvillimit të mëtejshëm.
Kryetari Thaçi i dëgjoi nga afër shqetësimet dhe kërkesat e banorëve të Sibocit dhe u zotua se do të angazhohet për adresimin e tyre. Ai bëri të ditur se do të zhvillojë takime me përfaqësues të KEK-ut për të parë nga afër planet lidhur me këtë proces, si dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës për të diskutuar shqetësimet e banorëve.
Gjithashtu, në fokus të këtyre takimeve do të jenë edhe shqetësimet e banorëve të fshatrave Siboc, Hade, Shpatull dhe Lajthishtë.
Kryetari Thaçi u shpreh se banorët e këtyre fshatrave do të mbahen të informuar në vazhdimësi për zhvillimet dhe hapat e mëtejshëm lidhur me këtë çështje.