Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, së bashku me ekzekutivin komunal, OVL, UÇK-së, qytetarë dhe nxënës, morën pjesë në aktivitetin përkujtimor të mbajtur në fshatin Hamidi, vendi ku më 11 qershor 1998 u dëgjua krisma e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë zonë.
Në fjalën e tij, Kryetari Thaçi theksoi se të gjithë ata që nisën krismën e parë kundër armikut serb për të mbrojtur fshatrat e Qyqavicës, fëmijët, pleqtë dhe gratë, janë heronj të kombit.
“Për ata që nuk janë më në mesin tonë, do të ruajmë përherë kujtimin dhe respektin më të madh. Ndërsa për bashkëluftëtarët që janë ende mes nesh, do të jemi gjithmonë mirënjohës për sakrificën dhe kontributin e tyre në lirinë e vendit”, u shpreh ai.
Në fund të ceremonisë, Kryetari Thaçi ndau mirënjohje për Hasan Elshanin dhe Sejdi Kelmendin, të cilët ishin pjesë e aksionit kundër okupatorit serb në fshatin Hamidi, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre në ngjarjet historike të asaj kohe.