Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, mori pjesë në takimin e parë të Grupit të Punës për Kosovën në kuadër të Komitetit Evropian të Rajoneve, që u mbajt më 27 maj në Bruksel – një ngjarje që përkoi simbolikisht me Ditën e Zgjerimit të BE-së.
Me ftesë të znj. Gillian Coughlan, kryetare e këtij grupi të punës, kryetari Gashi paraqiti përfaqësimin e Komunës së Obiliqit në këtë forum të rëndësishëm, ku u diskutua tema: “Ndërprerja e degradimit mjedisor – Veprime lokale dhe marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës.”
Obiliqi – Nga zhvillimi industrial te sfidat mjedisore
Në fjalën e tij, kryetari Gashi theksoi se Obiliqi, që nga vitet ’50, ka qenë qendra energjetike e Kosovës, por kjo trashëgimi industrial ka sjellë barrën më të rëndë mjedisore në vend, me pasoja serioze për shëndetin e qytetarëve dhe ekosistemin.
Një nga hapat kyç ishte miratimi i Ligjit për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit (Nr. 05/L-044) në vitin 2016, që hapi rrugën për veprime konkrete.
Disa nga arritjet kryesore në transformimin e ambientit:
Pastrimi i mbi 23,000 m² zonë të ndotur dhe ndërtimi i tre shesheve me mbi 65% gjelbërim
Ndërtimi i objekteve publike si Shtëpia e Kulturës, Biblioteka e Qytetit dhe Shtëpia e të Moshuarve
Krijimi i 21 parqeve dhe 34 fushave sportive në sipërfaqe prej 120,000 m²
Mbi 7,000 drunj të mbjellë dhe Brezi i Gjelbër në hyrje të qytetit
Instalimi i sensorëve për matjen e cilësisë së ajrit në kohë reale
Edukim mjedisor në shkolla dhe fushata ndërgjegjësuese për qytetarët
Përdorimi i energjisë solare në objekte publike dhe shkolla
Projektet aktuale dhe sfidat në vazhdim:
Komuna e Obiliqit ka tashmë në zhvillim projekte madhore si:
Projekti i Kogjenerimit për ngrohjen qendrore
Krijimi i Parkut të Gjelbër në Dardhishtë në një sipërfaqe prej 23 hektarësh
Për këto projekte, Komuna është e gatshme të shqyrtojë edhe opsione të huamarrjes ose kredive të buta, meqenëse mbrojtja e ambientit kërkon veprim të menjëhershëm.
Kërkesa për përgjegjësi nga KEK-u dhe institucionet qendrore
Pavarësisht disa hapave të ndërmarra nga KEK, kryetari Gashi theksoi se sfidat janë ende të mëdha. Disa nga rekomandimet e Komunës janë:
Respektimi i Ligjit për Zonën e Rrezikuar Mjedisore
Vendosja e elektrofiltrave në TC Kosova B
Trajtimi i deponisë së hirit në Dardhishtë dhe tokave të kontaminuara
Menaxhimi i gazrave, ujërave industriale, zhurmës dhe mbetjeve të rrezikshme
Rikultivimi i tokave të degraduara dhe zgjerimi i brezave të gjelbër
Obiliqi po përballet me ndotje të rrezikshme nga grimcat PM10, PM2.5 dhe gazrat toksikë, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve – me raste në rritje të sëmundjeve respiratore dhe malinje.
Bashkëpunimi ndërinstitucional – çelës për sukses
Kryetari Gashi falënderoi Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) për mbështetjen e vazhdueshme, që mundëson përfaqësim në forume ndërkombëtare si ky në Bruksel.
Duke theksuar se komunat nuk mund të përballojnë vetë sfidat e mjedisit – është e domosdoshme mbështetja nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, si në aspektin financiar, teknik ashtu edhe politik.
“Për një Evropë më të gjelbër – edhe Obiliqi ka fjalën e vet” – ishte mesazhi përmbyllës i kryetarit Gashi, duke shprehur gatishmërinë për partneritete të reja, projekte ndërkufitare dhe shkëmbim përvojash me komuna nga BE-ja dhe rajoni.