Sot në sallen e Kuvendit Komunal, u zhvillua Panel Diskutimi me akterë institucionalë, ku pjesë e këtij Paneli ishin, Koordinatorja e projektit “Edukimi mediatik si garancë e paqes, sigurisë dhe kohezionit social” znj. Marsona Thaqi, Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Obiliqit, z.Burim Gërguri dhe Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj.Arba Mirena, përfaqësues të KFOR-it Njësiti Obiliq, gazetaren lokale znj.Linda Bekteshi, tashmë Drejtoreshë e Administratës Komunale, përfaqësues të shoqërisë civile, znj.Zelushe Kelmendi, përfaqësues të komuniteteve z.Shaban Berisha pjesëmarrësit e projektit (grupi punues i të rinjve) dhe pjesëmarrës të tjerë.
Përgjatë këtij paneli, u paraqit puna 8 (tetë) mujore e pjesëmarrësve të projektit, angazhim i cili solli krijimin e Broshurës informative dhe avokuese mbi edukimin mediatik.
Tutje, u zhvillua diskutimi mes panelistëve dhe pjesëmarrësve të projektit, nga i cili diskutim u ngritën pyetje të rëndësishme mbi rolin e institucioneve të udhëheqjes lokale, të sigurisë dhe shoqërisë civile e mediave në përmirësimin e mjedisit për bashkëpunim ndërmjet komuniteteve si dhe format se si duhet punuar tutje për ti përmirësuar këto përpjekje.
Nga pjesëmarrësit e projektit u prezentua edhe video vetëdijësuese për edukimin mediatik, video kjo e cila do të shërbejë si material vetëdijësimi e avokimi edhe për të rinjtë e tjerë në Obiliq dhe do tu prezentohet veçmas në shkollat përkatëse.
Projekti “Edukimi mediatik si garancë e paqes, sigurisë dhe kohezionit social” mbështetet nga projekti rajonal “SMART Balkans- Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA).



