Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, së bashku me familjarët e dëshmorëve Rama, familjarët e familjeve Halimi dhe Haliti, familjet e dëshmorëve e martirëve të lirisë, Shoqatat e Dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-presidentin Fatmir Sejdiu, ish-komandantin e UÇK-së dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, gjeneralin Ahmet Isufi, përfaqësuesin e SHDL-së, Esat Curri, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryesuesen e Kuvendit Komunal, asamblistë, ekzekutivin dhe bashkëqytetarë, në 26-vjetorin e rënies së dëshmorëve të familjes Rama, me Tubim Përkujtimor kujtuan dhe nderuan jetën dhe veprën e tyre të dhënë për liri e pavarësi.
Kryetari Gashi, në fjalën e tij, theksoi se:
“Familja Rama, si shumë familje shqiptare, i dha Kosovës djemtë më të mirë, të cilët me heroizmin e tyre të pashoq luftuan deri në fund për të realizuar idealin e çlirimit. Agroni, Faruki e Alberti e shndërruan vatrën e shtëpisë së tyre në një bazë të sigurt të armatimit për të gjithë bashkëluftëtarët e kësaj zone, por edhe në një pikë sulmi ndaj forcave serbe, të bindur e me guxim të plotë se vetëm të bashkuar arrihet liria.”
Pas tubimit përkujtimor, në kujtim dhe respekt për dëshmorët e familjes Rama dhe martirët e familjeve Halimi e Haliti, me homazhe nderuan sakrificën e shenjtë deri në vetëflijim për liri.
I përjetshëm kujtimi për të rënët për liri!
Lavdi e përjetshme!