Shefi i kabinetit të Kryetarit Halil Thaçi, Bashkim Gashi, së bashku me zyrtaren Edona Idrizaj, pritën në takim përfaqësuesit e projekteve zhvillimore ku u prezantuan iniciativa me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe energjinë e gjelbër.
Projekti i parë, i mbështetur nga Qeveria e Lihtenshtajnit, synon forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe institucioneve vendore në Kosova. Përmes këtij projekti parashihet krijimi i mundësive për investime, përkrahja e bizneseve vendore dhe përfshirja e diasporës në iniciativa që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal.
Ndërkaq, projekti i dytë është i fokusuar në fuqizimin e të rinjve në fushën e energjisë së gjelbër. Projekti parasheh bashkëpunim me shkollat e mesme, themelimin e klubeve të gjelbra dhe organizimin e garave për projekte inovative që promovojnë energjinë e ripërtëritshme. Gjithashtu, do të mbahen trajnime për mësimdhënësit dhe do të ofrohen pajisje për zhvillimin e aktiviteteve praktike në shkolla.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në sektorë të tjerë me rëndësi për komunën, me theks të veçantë në bujqësi. Përfaqësuesit institucionalë theksuan përkushtimin për të mbështetur fermerët përmes projekteve konkrete zhvillimore, subvencioneve dhe krijimit të lehtësirave për rritjen e prodhimit vendor.
Këto iniciativa përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të mundësive të reja zhvillimore për qytetarët.