Kryetari i Komunës, Halil Thaçi, ka pritur në takim përfaqësuesit e Fondacioni Sheikha Fatima bint Mubarak për Gruan, ku u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi me qëllim të krijimit të një kornize të qëndrueshme bashkëpunimi për fuqizimin dhe aftësimin profesional të grave dhe vajzave.
Fondacioni u përfaqësua nga Drejtoresha Miradije Salihu, ndërsa në takim mori pjesë edhe koordinatori Ibrahim Fadlalla.
Memorandumi parasheh ofrimin e trajnimeve profesionale falas për kandidatet e propozuara nga Komuna, të cilat pas përfundimit me sukses do të pajisen me certifikata përkatëse. Trajnimet do të zhvillohen sipas planit mësimor të fondacionit dhe synojnë ngritjen e kapaciteteve profesionale të përfitueseve.
Fushat e trajnimit përfshijnë:
Rrobaqepësi
Pasticeri
Grim
Parukeri
Manikyr
Pedikyr
Gjuhë Angleze
Kompjuter
Menaxhim i ndërmarrjeve të vogla
Këto trajnime janë të dedikuara për vajza dhe gra të moshës 16 deri në 55 vjeç (ndërsa për disa fusha nga mosha 8 vjeç) dhe zgjasin 4 muaj.
Sipas marrëveshjes, Komuna do të:
Dërgojë listën e kandidateve të propozuara për trajnim sipas fushave përkatëse;
Ofrojë mbështetje për transportin e pjesëmarrëseve sipas nevojës gjatë periudhës së trajnimit;
Mbështesë gratë dhe vajzat që përfundojnë me sukses trajnimet, duke u dhënë prioritet në përfitimin e granteve apo pajisjeve për fillimin e bizneseve të tyre.
Memorandumi ka vlefshmëri 12 mujore me mundësi vazhdimi sipas dakordimit të palëve dhe nuk paraqet detyrime financiare apo ligjore, por shërben si bazë për bashkëpunim institucional.
Ky bashkëpunim synon të ndikojë drejtpërdrejt në fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave, duke rritur mundësitë e tyre për punësim dhe vetëpunësim.