Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, së bashku me Drejtoreshën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ilire Kelmendi Shema, pritën sot në takim Kryetarin e Federatës së Hendbollit, Edin Kolgeci, si dhe trajnerin e KH “KEK-u”, Faruk Kurteshi.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi për zhvillimin dhe avancimin e hendbollit në Komunën e Obiliqit, si dhe mbështetja për zhvillimin e mëtejmë të Kombëtares së Kosovës.
Gjatë takimit, Kryetari Kolgeci e njoftoi Kryetarin Thaçi për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Obiliqit dhe Federatës së Hendbollit, me theks të veçantë në përkrahjen e klubeve dhe të rinjve të talentuar.
Kryetari Thaçi u zotua për mbështetje të vazhdueshme ndaj hendbollit në komunë, duke theksuar se klubi “KEK-u” ka traditë të gjatë në këtë sport dhe se synim i përbashkët mbetet krijimi i kushteve sa më të mira për të rinjtë që të zhvillojnë talentin e tyre.
Në fund, Kryetari Kolgeci e falënderoi Kryetarin Thaçi për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim në funksion të zhvillimit të sportit.