Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, ka pritur sot në takim zëvendëskomandantin e KFOR-it të Komandës Rajonale-Lindje, nënkolonel z.Evan Hessel, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit, kryetari Gashi e ka njoftuar nënkolonelin Hessel për zhvillimin e projekteve në Komunën e Obiliqit në të gjitha sektorët, duke theksuar sfidat që lidhen me faktin se 72% e territorit të komunës është i shfrytëzuar për nevoja të shërbimeve minerare nga KEK-u. Gjatë këtij takimi u diskutua gjithashtu për sfidat me të cilat përballet komuniteti lokal, përfshirë rreziqet në afërsi të minierave, ndotjen e ajrit nga termocentralet dhe ndikimin e KEK-ut në jetën e përditshme të qytetarëve.
Me këtë rast, kryetari Gashi pranoi një dhuratë të veçantë mirënjohjen dhe simbolin e njësisë 41st Infantry Brigade Combat Team, që përfaqëson respektin dhe partneritetin e ndërsjellë. Këtë dhuratë, kryetari Gashi e vlerësoi si dëshmi të bashkëpunimit të qëndrueshëm për paqe dhe siguri.
Po ashtu, kryetari Gashi i dhuroi një dhuratë simbolike nënkolonelit Hessel, një kopje të “Kokës Antropomorfe të Ritualit të Besimit Ilir”, një artefakt i periudhës antike, i zbuluar në fshatin Dardhishtë të Obiliqit në vitin 2012, që pasqyron trashëgiminë kulturore të kësaj treve.
Në fund të takimit, së bashku u dakorduan që bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet Komunës së Obiliqit dhe KFOR-it të vazhdojë fuqishëm, gjithnjë në shërbim të qytetarëve.