Komuna e Obiliqit organizon aktivitete të shumta për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Obiliqit, z. Halil Thaçi, me rastin e shënimit të 28 Nëntorit -Ditës së Flamurit Kombëtar, Komuna e Obiliqit ka organizuar një agjendë të pasur me aktivitete solemne, kulturore, artistike dhe sportive, të cilat do të zhvillohen nga data 25 deri më 28 nëntor 2026.
Aktivitetet do të fillojnë më 25 nëntor, në orën 13:00, me promovimin e librit “Letërkëmbimi i Ismail Dodës me Profesor Eqrem Çabejn”, nga Prof. Dr. Begzad Baliu, në Bibliotekën e Qytetit.
Më 26 nëntor, në orën 14:00, do të shfaqet filmi kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, aktivitet ky i organizuar nga Kuizi i Diturisë me karakter garues, me nxënës të shkollave fillore.
Ndërkaq, më 27 nëntor, në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, do të mbahet manifestimi qendror, i cili do të përfshijë marshin festiv “Tradita jonë – Identiteti ynë”, duke filluar nga ora 17:40, si dhe koncertin qendror festiv në orën 18:00, nën udhëheqjen e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Qytetit të Obiliqit.
Aktivitetet do të vazhdojnë më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit Kombëtar, me seancën solemne të Kuvendit Komunal të Obiliqit, në orën 10:00, për të vijuar me homazhe te Pllaka Kryesore e Dëshmorëve në Obiliq, në orën 10:30.
Në orën 11:30 do të organizohet turneu i futbollit “Kupa e Bashkimit Kombëtar”, me pjesëmarrjen e klubeve nga Kosova, në Palestrën Sportive “Adem Jashari”.
Përmes këtyre aktiviteteve, Komuna e Obiliqit synon të nderojë historinë, sakrificën dhe vlerat kombëtare, duke promovuar njëkohësisht kulturën, traditën dhe frymën e bashkimit kombëtar.
Komuna e Obiliqit fton të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve festive dhe të festojmë së bashku 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar.
Gëzuar 28 Nëntorin!
