Sot, në Komunën e Obiliqit, u organizua një trajnim me nxënësit e dy shkollave të mesme, “17 Shkurti” dhe “Ismajl Dumoshi”, me temën:
“Transporti publik për të gjithë: Rregullat, siguria, sjellja, të drejtat dhe barazia”.
Ky aktivitet u realizua nga udhëheqësja e Njësisë Antidiskriminim dhe Barazi Gjinore, znj. Ganimete Aliu, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, përkatësisht me z. Jakup Hoti, ekspert i sigurisë në transport, z. Betim Millaku, koordinator për të Drejtat e Njeriut, dhe znj. Adelina Kadiri-Sokoli, zyrtare për Barazi Gjinore.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte informimi dhe vetëdijesimi i të rinjve për rëndësinë e respektimit të rregullave në transportin publik, sigurinë, sjelljen e përgjegjshme, njohjen e të drejtave të udhëtarëve, si dhe promovimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes.
Përmes aktiviteteve të tilla synojmë të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi të sigurt, të qasshëm dhe pa diskriminim për të gjithë qytetarët.
“Transporti publik është e drejtë e të gjithëve – udhëtojmë me siguri, sillemi me respekt dhe ndërtojmë barazi për të gjithë!

