Në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Mërgatës”, u mbajt koncerti solistik i këngëtares Hajrije Preniqi
Në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Mërgatës”, të organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Obiliqit, në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri” u mbajt koncerti solistik i këngëtares së mirënjohur Hajrije Preniqi.
Të pranishëm në këtë mbrëmje artistike ishin Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, së bashku me stafin e tij, anëtarët e Kuvendit Komunal përfaqësues institucionalë, qytetarë dhe bashkatdhetarë.
Të pranishmit, me një fjalë rasti, i përshëndeti Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve kulturore në kuadër të manifestimit “Ditët e Mërgatës”, duke theksuar rolin e tyre në promovimin e vlerave kulturore dhe në forcimin e lidhjes me bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit.
Programi artistik u udhëhoq nga këngëtari i njohur Naim Abazi, i cili njëkohësisht interpretoi edhe disa nga këngët e tij, duke i dhënë mbrëmjes një atmosferë të veçantë. Pjesë e koncertit ishte edhe këngëtari Hysni Klinaku, ndërsa Ansambli i Qytetit u paraqit me valle , të cilat u mirëpritën nga publiku.
Koncerti u përcoll me interes të madh nga qytetarët dhe mërgimtarët, duke ofruar një mbrëmje të pasur me muzikë dhe folklor, në frymën e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore.
Komuna e Obiliqit mbetet e përkushtuar në organizimin e aktiviteteve kulturore që pasurojnë jetën artistike të qytetit dhe forcojnë lidhjen me mërgatën.