Komuna e Obiliqit mirëpriti me sukses edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar “Newborn Kosova”, një ngjarje kulturore që mblodhi ansamble artistike nga vende të ndryshme të botës, duke promovuar kulturën, traditat dhe miqësinë ndërmjet popujve.
Festivali u zhvillua në Sheshin “Dëshmorët e Kombit”, ku qytetarët ndoqën paradën kulturore dhe programin artistik të ansambleve pjesëmarrëse, të cilat sollën performanca të pasura me vlera artistike dhe kulturore.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, dhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Ilire Shema Kelmendi. Në fjalën e tij, Kryetari Thaçi u uroi mirëseardhje të gjitha delegacioneve pjesëmarrëse dhe theksoi rëndësinë e festivaleve ndërkombëtare në forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimit kulturor dhe promovimit të Obiliqit si një qytet mikpritës.
Komuna e Obiliqit mbetet e përkushtuar në mbështetjen e aktiviteteve kulturore që pasurojnë jetën artistike dhe promovojnë vlerat kulturore në nivel vendor dhe ndërkombëtar.