Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Obiliqit, sot u bënë homazhe pranë pllakës përkujtimore të dëshmorëve, duke nderuar sakrificën dhe kontributin e tyre për lirinë e vendit.
Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, Nënkryetari Berat Gashi, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, delegacioni mysafir nga Bullgaria, përfaqësues të komunitetit arbëresh nga Italia, si dhe drejtorët dhe pjesëtarët e ekzekutivit të Komunës së Obiliqit.
Të pranishmit vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe në shenjë respekti e mirënjohjeje për dëshmorët që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Me këtë rast u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtimit për veprën e tyre dhe e përcjelljes së vlerave të lirisë tek brezat e rinj.
27-vjetori i Çlirimit të Obiliqit shërben si një moment reflektimi dhe krenarie për sakrificën e popullit tonë, duke rikujtuar se liria e sotme është rezultat i përkushtimit dhe gjakut të dëshmorëve të kombit.