Në Sallën e Kulturës në Obiliq u mbajt ceremonia solemne e diplomimit të maturantëve të gjeneratës 2026 të SHMLP “Ismail Dumoshi”, në praninë e përfaqësuesve institucionalë, mësimdhënësve, prindërve dhe mysafirëve të shumtë.
Ceremonia filloi me intonimin e Himnit të Republikës së Kosovës dhe me një minutë heshtje në nderim të atyre që nuk janë më në mesin tonë.
Të pranishmëve fillimisht iu drejtua Drejtoresha e Arsimit, znj. Sevdije Berisha Krasniqi, e cila përgëzoi maturantët për suksesin e arritur dhe u uroi suksese në rrugëtimin e tyre të mëtejmë akademik dhe profesional.
Më pas, fjalën e mori drejtori i shkollës, Tahir Morina, i cili përgëzoi maturantët për përfundimin e një etape të rëndësishme të jetës së tyre dhe falënderoi mësimdhënësit, prindërit dhe institucionet komunale për mbështetjen e vazhdueshme ndaj arsimit.
Në emër të maturantëve foli Erona Ajvazi, e cila me emocion kujtoi vitet e kaluara në shkollë, sfidat, sukseset dhe kujtimet e krijuara gjatë rrugëtimit shkollor, duke shprehur mirënjohje për profesorët dhe prindërit.
Gjatë ceremonisë u ndanë diplomat për maturantët e gjeneratës 2026, duke shënuar përmbylljen me sukses të arsimit të mesëm dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tyre.
Në shenjë vlerësimi për mbështetjen e dhënë ndaj arsimit, shkolla ndau mirënjohje për Kryetarin e Komunës së Obiliqit, z. Halil Thaçi, si dhe për Drejtoreshën e Arsimit, znj. Sevdije Berisha Krasniqi. Mirënjohjet u dorëzuan nga drejtori i shkollës, Tahir Morina, së bashku me koordinatorin e shkollës, Bejt Çelaj.
Ceremonia u përmbyll me hedhjen tradicionale të kapelave nga maturantët, simbol i përfundimit të një rrugëtimi të rëndësishëm dhe i fillimit të sfidave të reja drejt së ardhmes.