Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Halil Thaçi, së bashku me Kryesuesin e Kuvendit Komunal, z. Sami Ahmeti, si dhe drejtorët z. Selim Asllani dhe z. Arif Pllana, realizuan një vizitë zyrtare në Osmangazi, në Turqi, në kuadër të shënimit të 700-vjetorit të çlirimit të këtij qyteti.
Në kuadër të vizitës, delegacioni mori pjesë në hapjen solemne të aktiviteteve festive, së bashku me përfaqësues të qyteteve simotra, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm të këtij përvjetori historik për Osmangazin.
Gjatë qëndrimit, u zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues institucionalë dhe të komunitetit të biznesit. Në këto takime u diskutuan mundësitë konkrete për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Obiliqit dhe partnerëve nga Turqia, me fokus të veçantë në tërheqjen e investitorëve dhe krijimin e kushteve të favorshme për zhvillim ekonomik.
Delegacioni zhvilloi takime me përfaqësues të Odës së Prodhuesve “NOSAB – Nilüfer Organize Sanayi Bölgesi”, me 350 fabrika, si dhe me Odën e Esnafëve “BESOB – Bursa Esnaf ve Sanatkârlar Odaları Birliği”, me 150 prodhues, ku u theksua gatishmëria për bashkëpunim në fusha të ndryshme, përfshirë trajnime profesionale, shkëmbim përvojash dhe mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Në kuadër të vizitës, u realizuan edhe takime me biznese të industrisë së tekstilit, ku u shpreh interes konkret për mundësitë e investimit dhe zgjerimit të aktivitetit në Komunën e Obiliqit. Palët u dakorduan që komunikimi të vazhdojë përmes kanaleve zyrtare, me qëllim konkretizimin e bashkëpunimeve të mundshme.
Kryetari i Komunës, z. Halil Thaçi, u bëri ftesë prodhuesve që të vijnë dhe të investojnë në Komunën e Obiliqit.
Vizita përfundoi me takimin me Kryetarin e Komunës së Osmangazit z. Erkan Aydin, ku u theksua rëndësia e transparencës, bashkëpunimit institucional dhe koordinimit të përbashkët në çdo iniciativë të ardhshme.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy komunave dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik, investime dhe partneritete afatgjata.