Në Sallën e Kuvendit Komunal në Obiliq u mbajt aktiviteti për shënimin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit. Në këtë organizim ishin të pranishëm nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Berat Gashi, drejtoresha e Arsimit, Sevdije Berisha, si dhe përfaqësues të tjerë të Drejtorisë së Arsimit.
Me këtë rast u nderuan edukatoret, mësimdhënëset dhe mësimdhënësit që kanë garuar për çmimin “Mësimdhënës i Dalluar” në nivel komunal, si dhe për çmimin “Shaban Jashari” në MASHT.
Gjatë këtij aktiviteti u shpall Mësimdhënësja e Vitit, ku këtë vlerësim e mori Shabaze Vishaj Grajqevci, ndërsa Shkolla më e Pastër e Vitit u shpall shkolla e Breznicës “Naim Frasheri”.
Po ashtu, gjatë këtij organizimi u ndanë edhe mirënjohje për mësimdhënës, edukatore dhe drejtorë të shkollave që ishin të pranishëm, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe përkushtimin e tyre në arsim.
Komuna e Obiliqit shpreh mirënjohje dhe respekt për punën dhe përkushtimin e të gjithë mësimdhënësve, të cilët me angazhimin e tyre të vazhdueshëm kontribuojnë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.