Sot, në Komunën e Obiliqit është mbajtur mbledhje solemne e Kuvendit Komunal me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë për liri dhe pavarësi.
Në këtë mbledhje solemne morën pjesë Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, kryesuesi i Kuvendit Komunal Sami Ahmeti, drejtorë të drejtorive komunale, asamblistë, përfaqësues institucionesh, familjarë të dëshmorëve si dhe qytetarë të shumtë.
Me këtë rast, u përkujtua sakrifica dhe heroizmi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
U theksua se Epopeja e UÇK-së mbetet një simbol i qëndresës, guximit dhe vendosmërisë së popullit shqiptar për liri, duke na obliguar të gjithë që të ruajmë dhe të përcjellim tek brezat e rinj vlerat e sakrificës dhe atdhedashurisë.
Komuna e Obiliqit do të vazhdojë të nderojë dhe të kujtojë gjithmonë kontributin e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit.