Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Halil Thaçi, së bashku me stafin e tij, realizoi sot një vizitë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq.
Gjatë vizitës, Kryetari Thaçi u prit nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së, z. Haki Jashari, i cili e informoi në detaje për shërbimet që po ofrohen për qytetarët, sfidat e institucionit dhe nevojat aktuale të stafit mjekësor.
Po ashtu, drejtori Jashari njoftoi për ecurinë e punimeve infrastrukturore që janë duke u zhvilluar, duke përfshirë fazat e projektit dhe pritjet për përfundimin e tyre.
U vlerësua se Qendra ka nevojë për ndërtim, rinovim dhe zgjerim të kapaciteteve, me synim përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për komunitetin.
Kryetari Thaçi falënderoi stafin për angazhimin dhe punën e tyre të palodhshme në shërbim të qytetarëve, duke shprehur gatishmërinë e Komunës për bashkëpunim të mëtejshëm, investime të reja dhe përmirësim të infrastrukturës në sektorin e shëndetësisë.
