Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, së bashku me Drejtoreshën e DKA-së, znj. Fitore Hashani, Drejtorin e ShMLP “Ismail Dumoshi”, z. Jakup Hashani, si dhe me personelin arsimor, prindër dhe nxënës, pati kënaqësinë të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2022/25 të maturantëve të kësaj shkolle.
Këtë vit, diplomuan 101 nxënës nga 6 paralele, të cilët me përkushtim dhe punë të vazhdueshme përfunduan me sukses shkollimin e mesëm profesional.
Kryetari Gashi, me këtë rast, uroi maturantët për suksese në rrugëtimin e tyre jetësor, në realizimin e ëndrrave, synimeve dhe ambicieve që kanë, duke i inkurajuar që me vullnet, dije dhe zhvillim profesional të bëhen pjesë aktive e ndërtimit dhe përparimit të qytetit të Obiliqit.
Njëkohësisht, kryetari Gashi përgëzoi stafin e ShMLP “Ismail Dumoshi” për përkushtimin dhe angazhimin e tyre të palodhshëm, duke theksuar: “Ju jeni shtylla kryesore e formimit të brezave të rinj, përkushtimi juaj është themel i një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë. Puna me gjeneratat e reja është siguri e garantuar.”
Me këtë rast, kryetari Gashi pranoi një mirënjohje nga drejtori i shkollës, z. Jakup Hashani, si shenjë vlerësimi për bashkëpunimin dhe mbështetjen institucionale.
Maturantëve, ju priftë e mbara gjithmonë!