Dita e Çlirimit vazhdoi me Manifestimin Qendror në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, nën prezencën e Kryetarit të Komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, Kryesueses së Kuvendit Komunal, asambleistëve, ekzekutivit, përfaqësuesve të SHDL-së, familjarëve të dëshmorëve dhe martirëve, Kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Obiliq, Komandantit të Stacionit Policor, Ansamblit të Qytetit, qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve lokale.
Kryetari Gashi, në fjalën e tij para të pranishmëve, theksoi: “Në këtë ditë të shenjtë, ne përulemi me respekt para sakrificës së madhe të dëshmorëve dhe martirëve të lirisë. Nderojmë veprimtarët, idealistët, të rinjtë, studentët e të gjitha kohërave – ata që jetën e tyre ia kushtuan atdheut.
Nderojmë Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova, figurë e unitetit dhe vizionit për shtetin tonë. Nderojmë Komandantin Legjendar, Adem Jashari, dhe familjen e tij heroike – simbolin më të lartë të sakrificës për lirinë e Kosovës.
Nderojmë familjet heroike të dëshmorëve: familjen Haziri, Rama, Halimi, Morina, Curri, Grajçevci, Krasniqi, Hasani, Kastrati, Dervishaj, Uka, Mehmeti, Qerkezi, Mjeku, Kelmendi, Shalaku, Zhitia, Fazliu.
Nderojmë familjet e martirëve: familjen Prenku, Mjekiqi, Krasniqi, Prokshi, Kelmendi, Haliti, Halimi, Grajçevci, Merlaku, Kasumi, Bici, Muliqi, Rama, Sekiraqa, Morina, Delia, Dedinca, Pllana, Mirena, Shaljani, Preniqi, Gashi, Aliu, Mehmeti, Hoti, Kutllovci.
Falënderojmë invalidët e luftës, të cilët sakrifikuan gjymtyrët e tyre për lirinë e vendit tonë.
Sot, në 26-vjetorin e çlirimit, kemi arsye për të qenë krenarë, sepse së bashku kemi punuar për zhvillimin e qytetit tonë.
Obiliqi sot ka hapësira të përshtatshme për të rinjtë, ka arsim më cilësor, më shumë aktivitete kulturore dhe sportive, shërbime më të mira shëndetësore dhe infrastrukturë moderne.
Obiliqi është qytet i sportit, i kampionëve dhe i së ardhmes.”
Manifestimi vazhdoi nën përkujdesjen e DKRS-së, duke u përcjellë me fëmijët nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “AKV Qyteti i Obiliqit” me këngën “Mora fjalë”, të përgatitur dhe të përcjellë nga orkestra, për të vazhduar me një valle të veçantë të interpretuar nga brezi i ri dhe këngë nga artisti Vesad Mjeku.
Urime 26-vjetori i Çlirimit të Obiliqit!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari!
Respekt dhe mirënjohje e përjetshme për të gjithë ata që sakrifikuan për atdheun!