Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, së bashku me Drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, znj. Fitore Hashani, Drejtoreshën e Gjimnazit “17 Shkurti”, znj. Besa Gashi Dvorani, personelin arsimor, prindër dhe nxënës, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2022/25 të këtij gjimnazi.
Në këtë ceremoni festive diplomuan 97 maturantë nga katër paralele, të cilët me përkushtim dhe angazhim kanë përmbyllur një etapë të rëndësishme të jetës së tyre arsimore.
Me këtë rast, kryetari Gashi uroi maturantët për përfundimin e suksesshëm të shkollimit dhe u dëshiroi suksese në rrugëtimin e mëtejmë jetësor, me shpresën që, përmes vullnetit dhe zhvillimit profesional, të bëhen pjesë e ndërtimit dhe përparimit të qytetit të Obiliqit.
Gjithashtu, kryetari Gashi, shprehu mirënjohje dhe respekt të veçantë për stafin pedagogjik të Gjimnazit “17 Shkurti”, për përkushtimin e palodhur në edukimin e brezave të rinj, duke theksuar se:
“Heronjtë e vërtetë të së tashmes janë mësimdhënësit, të cilët me përkushtim të vazhdueshëm punojnë për një të ardhme më të ndritur të vendit tonë. Edukimi i gjeneratave të reja është garanci për një të ardhme të sigurt.”
Maturantëve të kësaj gjenerate u urohet rrugëtim i mbarë dhe i suksesshëm në çdo hap të jetës!