Në 26-vjetorin e rënies së Dëshmorëve të Kombit, Afrim (Rrahim) Krasniqi, Lutfi (Latif) Krasniqi dhe Agron (Shaban) Gashi, Nënkryetari i Komunës së Obiliqit, z. Ibush Mjekiqi, së bashku me familjarë të Dëshmorëve të Kombit, familjeve të Dëshmorëve dhe Martirëve të lirisë, Shoqatave të Dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asambleistë, ekzekutivin dhe bashkëqytetarë, bënë homazhe pranë Pllakës përkujtimore të dëshmorëve në fshatin Siboc, duke nderuar jetën dhe sakrificën e tyre për liri.
Me këtë rast, u përkujtuan dhe u nderuan edhe martirët e familjeve Gashi, Hoti, Kelmendi dhe Krasniqi, të cilët ranë gjatë luftës, duke u bërë simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.
Nënkryetari Mjekiqi, në fjalën e tij theksoi se: sakrifica e Dëshmorëve dhe Martirëve të Kombit është themeli mbi të cilin ndërtohet shteti ynë dhe kujtesa jonë historike dhe se veprat e tyre heroike janë një frymëzim i përhershëm për gjeneratat e reja dhe një obligim për të gjithë ne që të punojmë për një të ardhme më të mirë, më të drejtë dhe më të lirë. “Këta trima ranë që ne të jetojmë të lirë, prandaj përulja jonë dhe mirënjohja ndaj tyre duhet të jetë e përhershme.”
Lavdi të rënëve për liri!