Në kuadër të Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Drejtorisë Komunale për Arsim, Shtëpisë së Shpresës dhe organizatës ndërkombëtare Hardwired Global, sot në Shkollën Fillore “Migjeni” në Siboc është mbajtur aktiviteti i parë edukativo-kulturor me nxënësit e kësaj shkolle.
Në këtë ngjarje, e cila u shënua me shfaqjen edukative “Pluralizmi dhe Dallueshmëritë”, morën pjesë Drejtoresha e DKA-së, znj. Fitore Hashani, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe përfaqësues të organizatës Hardwired Global dhe të Shtëpisë së Shpresës.
Shfaqja, e realizuar nga nxënësit e shkollës “Migjeni” në bashkëpunim me Hardwired Global, kishte për qëllim të nxisë ndërgjegjësimin për pluralizmin, tolerancën dhe respektin për dallueshmëritë në mesin e nxënësve.
Ky aktivitet shënon fillimin e një sërë programesh edukative e kulturore që do të zhvillohen në shkollat e Komunës së Obiliqit si rezultat i kësaj marrëveshjeje.
Drejtoria për Arsim në Komunën e Obiliqit mbetet e përkushtuar për të ofruar mundësi të reja për zhvillim edukativ dhe kulturor për nxënësit, në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë që ndajnë të njëjtin vizion për një arsim gjithëpërfshirës dhe me vlera.