Kuvendi Komunal i Obiliqit, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.I pranishëm në këtë seancë ishte edhe Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi. Mbledhjen e hapi Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vlora Mjekiqi Kabashi, e cila shpalosi rendin e ditës dhe pas miratimit të pikave të propozuara është vijuar me trajtimin e tyre.
Për këtë mbledhje është propozuar ky:
Rend Dite
1.Arsyetimi për mungesë,
2.Miratimi i ekstraktit të procesverbalit nga mbledhja e kaluar,
3.Shqyrtimi i Planit Lokal të Veprimit për Cilësi të Ajrit,
4.Planifikimi i buxhetit për vitin 2024 dhe parashikimet për vitet 2025-2026,
5.Shqyrtimi i kërkesave,
6.Të ndryshme.
Me një minutë heshtje për policin e vrarë në kryerje të detyrës në veri të vendit, Heroin Afrim Bunjaku, filloi mbledhja e rregullt të Kuvendit Komunal të Obiliqit. Në pikë e 4-të të rendit të ditës është bërë shqyrtimi dhe është miratuar buxheti për vitin 2024, i cili në total (për të gjitha kategoritë buxhetore) është: 14,248,389.00 € , ky është buxheti më i madh i miratuar ndonjëherë në Komunën e Obiliqit.
Me 13 vota PËR, 4 KUNDËR dhe 4 ABSTENIM, anëtarët e Kuvendit Komunal në Obiliq, miratuan buxhetin për vitin 2024, i cili ka në fokus, vazhdimësinë e punëve të mira dhe qeverisjen e përgjegjshme, përkrahjen e bujqësisë dhe fermerëve, përkrahjen e kulturës, rinisë dhe sportit, përkrahjen e bizneseve të reja dhe ekzistuese, vazhdimin e realizimit të projektit të koogjenerimit, realizimi i projekteve infrastrukturore dhe ngritjen e cilësisë së shërbime publike, ngritja e cilësisë në arsim dhe ofrimi i shërbimeve sa më cilësore shëndetësore.
Kryetari Gashi, falënderoi anëtarët e Kuvendit Komunal për kontributin që dhanë në votimin e buxhetit për 2024 dhe të parashikimeve për vitet, 2025 dhe 2026 si dhe të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces shumë të rëndësishëm!
Urime të gjithë qytetarëve të Komunës së Obiliqit! Na priftë e mbara!





